Jasir Asani është kthyer edhe një herë të komentojë shortin e Europianit të Gjermanisë, pritshmëritë, si edhe tregon se deri ku mund të arrijë Kombëtarja shqiptare në këtë turne.
“Me Kombëtaren e Shqipërisë çdo ndeshje është e veçantë, pavarësisht humbjes, barazimit apo fitores, sepse ke një emocion shumë të madh.
Nuk diskutohen tre golat që kam shënuar, emocione të veçanta, sidomos ai me Poloninë që na dha një shpresë akoma më të madhe që mund të kualifikohemi”, thotë fillimisht anësori.
NDJENJA– Asani e ndjeu që në fillim se diçka e madhe do të vinte: “Ditën e parë kur kemi ardhur në Tiranë në grumbullim me Kombëtaren, e kam ndier që do të bëjmë gjëra të mëdha sepse erdhi një staf i ri që ka bërë një grup shumë të fortë që nuk e përçan dot askush.
Jemi lojtarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mendoj se bashkimi dhe stafi i ri, të cilët kanë luajtur në ekipet më të mira në botë, e dinë se si t’i marrin maksimumin një lojtari”, shprehet për “Klan Kosova” 28-vjeçari.
“EURO 2024”- Jasiri ka përpara një Europian për të luajtur verën e ardhshme në Gjermani. Ja si e komenton ai: “Jemi në ‘Grupin e Ferrit’.
Gjithsesi, ne kemi një skuadër të fortë dhe duhet të vazhdojmë punën siç kemi bërë deri tani. Nuk kemi frikë asnjë dhe mendoj se do të bëjmë gjëra të mëdha në Europian”, përfundon në intervistën e tij Jasir Asani.