Bajern Mynih po përgatitet për duelin e rëndësishëm të fazës së “play off”-it kundër Sëlltik Gllasgou, por kapiteni Manuel Nojer po bën bujë me pushimin e tij nga stërvitjet.
Sipas “Sky”, 38-vjeçari anashkaloi stërvitjen ekipore të hënën dhe në vend të kësaj përfundoi një program individual në sallë. Arsyeja e një mase të tillë është kontrolli i synuar i ngarkesës, për të përgatitur sa më mirë portierin për ndeshjen e parë në Gllasgou. Ndërsa Nojer pushon, Jonas Urbig dhe Sven Ulraish stërviteshin në fushë me trajnerin e portierëve Mishel Reshner.
Nuk ka asnjë lëndim, ndaj pjesëmarrja e tij të mërkurën nuk është në rrezik. Kohët e fundit ka qenë një kohë plot ngjarje për kapitenin e Mynihut. Vetëm pak ditë më parë, veterani vazhdoi kontratën me bavarezët edhe për një vit deri në vitin 2026. “Më pëlqen shumë futbolli dhe dua të vazhdoj të jem lojtar i Bajernit”, shpjegoi Nojer pas nënshkrimit të kontratës.
Drejtori sportiv Maks Eberl e përshkroi atë si një “ikonë në Mynih” dhe theksoi vlerën e tij të madhe për ekipin. Ndërkohë, gjigandët gjermanë janë nën presion në Champions. Pas një faze zhgënjyese në grup, skuadra e Mynihut humbi hyrjen direkt në raundin e 16-të dhe tani duhet të sigurojë vendin kundër Sëlltik në “play off”. Shorti tregoi se skuadra e Vinsent Kompani duhet fillimisht të luajë në Skoci, përpara ndeshjes vendimtare të kthimit në Mynih. Atmosfera e nxehtë në “Celtic Park” është veçanërisht sfiduese.
PANORAMASPORT.AL