A do të jetë kjo ndeshja e kthesës përfundimtare? Askush nuk mund ta dijë me siguri, por futja në lojë e Taremit ndaj Barcelonës ka lënë ndjesi pozitive për të ardhmen. Jo vetëm për asistin te goli i Fratezit që i dha Interit kualifikimin, por edhe për gjithë punën “e pistë” që bëri në fushë.
Iraniani hyri në lojë në minutën e 71-të, duke zëvendësuar një Lautaro Martinez të rraskapitur dhe në rreth njëzet minuta plus kohën shtesë, rezultoi vendimtar për kalimin e raundit.
Ai dha asistin vendimtar për golin e kualifikimit, bëri presion, punoi për skuadrën. Mehdi bëri nga pak gjithçka, i dërguar në fushë pikërisht për këtë qëllim nga Inzagi. Duke parë edhe njëherë pamjet e dy përballjeve të çmendura ndaj Barcelonës, veçanërisht asaj në Milano, vërehet një fakt të paktën i pazakontë.
Në ndeshjen e parë në “Montjuic”, Jamal e çmendi Dimarkon në krah. Në “San Siro”, nga ana tjetër, anësori zikaltër arriti ta kontrollojë disi më mirë. Por me futjen në lojë të Karlos Augustos, skuadra e Inzagit nisi sërish të lëkundet përballë shpërthimeve të talentit spanjoll. Lamin kaloi këdo: Dimarkon, Karlos Auguston, Bastonin. Përveç njërit: Taremit.
PANORAMASPORT.AL