Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka thënë se përfaqësuesja do të japë maksimumin në përballjen e nesërme ndaj Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për media para ndeshjes, Asllani ka folur për mbështetjen e tifozëve duke theksuar se skuadra është e përgatitur të luftojë për rezultat pozitiv.
“Besoj se kemi tifozë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Në ndeshjet që i përmende, kundër Sllovenisë, Sllovakisë dhe Suedisë, gjithmonë i kemi pasur tifozët pas nesh. Besoj se këto humbje të fundit mund t’i ndodhin çdo kombëtareje, por nesër do ta japim 100 për qind të maksimumit që mundemi, me shpresën për ta fituar ndeshjen”, ka deklaruar Asllani.
Asllani ka folur edhe për rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe pozitën e Kosovës në tabelë.
Ai ka theksuar se, ndonëse barazimi do t’i mjaftonte Kosovës për ta ruajtur vendin e dytë, skuadra nuk do të hyjë në fushë me synimin për të luajtur vetëm për një pikë.
“Besoj se është një ndeshje ndaj një kundërshtari të fortë, të cilin kemi arritur ta mposhtim edhe në Prishtinë. Por tani situata është ndryshe, pasi edhe atyre u nevojitet fitorja. Ne mund të kënaqemi edhe me barazim për ta mbajtur vendin e dytë, por, siç tha edhe trajneri, në futboll nuk mund të luash për barazim, por duhet të luash për fitore. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë, pasi jemi dy ekipe të forta. Pas ndeshjes do ta shohim se cila ishte më e fortë”, ka thënë Asllani.
Kosova aktualisht renditet e dyta në Grupin B3 me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda, e cila ndodhet në pozitën e tretë. Austria e ka siguruar vendin e parë me 11 pikë.
Kështu, një barazim në Dublin do t’ia garantonte Kosovës pozitën e dytë, ndërsa Irlanda duhet të fitojë për ta kaluar përfaqësuesen kosovare në tabelë dhe për të siguruar mundësinë e garimit në plejofin për promovim në Ligën A.
Ndeshja Irlandë – Kosovë zhvillohet të martën, më 17 nëntor, nga ora 20:45, në Dublin.