Etrit Berishën e mposhti vetëm një silurë e tij. E majta fantastike e Federiko Dimarkos i dhuroi fitoren e pestë në po kaq ndeshje në kampionat Interit dhe shërbeu jo vetëm për të marrë tri pikët e radhës, por edhe për t’i përmirësuar statistikat personale të italianit.
Me golin e djeshëm 25-vjeçari, që vinte nga tri asiste radhazi (ndaj Kaljarit, Fiorentinës dhe Milanit), shkoi në kontributin e 4 golave në kampionat dhe në pesë kampionate kryesore europiane, asnjë mbrojtës nuk ka bërë më mirë se ai.
Në të njëjtën kuotë, me 4 asiste gjendet dhe Kaio Henrike i Monakos (4 asiste) dhe Zheremi Frimpong i Bajern Leverkusenit me 1 gol dhe 3 asiste. Në intervistën pas ndeshjes, Dimarko tregoi rëndësinë e golit, që ia dedikoi Arnautoviçit dhe dëshirën për t’u përmirësuar.
GOLI DHE FITORJA – “Ishte një fitore e rëndësishme. Ne i dhamë një sinjal të shkëlqyer kampionatit. Nuk ishte një garë e lehtë, ne filluam mirë, por ramë në fundi i pjesës së parë, për fat të mirë gjetëm golin që vlen tri pikë shumë të rëndësishme. Topi erdhi në mënyrë perfektë në të majtë, godita dhe për fat të mirë shkoi në rrjetë. Më i bukuri? Ndoshta bashkë me atë që shënova kundër Torinos me Veronën. Dua t’ia dedikoj golin Arnautoviçit, dëmtimi nuk do të jetë asgjë e thjeshtë”.
KARRIERA – “E vetmja gjë për të cilën jam i lumtur është se jam krenar për atë që kam bërë deri më tani. Që nga momenti kur u largova nga ekipi i të rinjve të Interit e deri më sot, kjo është një nga pikat më të larta të karrierës sime, mendoj më e larta. Në të njëjtën kohë mendoj të punoj dita-ditës. E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është fitorja e ekipit”.
VAZHDIMËSIA – “A dua ta vazhdoj karrierën tek Interi? Mendoj se nuk ka përgjigje të tjera përveç dëshirës time për rinovim. Nuk shoh asnjë problem. Sot (dje) në “Castellani” kam parë dashurinë e tifozëve dhe jam shumë i lumtur për të gjithë këtë”.
INTERI – “Nuk është si Interi i vitit të kaluar, tani vijnë edhe fitoret me skuadrat e vogla. Nëse dëshiron të fitosh diçka, duhet të fitosh edhe me ato të voglat”.
PANORAMASPORT.AL