Mikel Arteta përgatitet për ndeshjen kundër Aston Vilës, ndërsa i jep përgjigje edhe disa pyetjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e tij dhe merkaton e “topçinjve”.Ai u pyet edhe nëse ai është i tunduar të bëjë një lëvizje për ish-sulmuesin e Sitit, Rahim Sterling, pasi ai pritet që të largohet nga Çelsi: “Koha ime me Rahim ishte e jashtëzakonshme. Ne ndërtuam një marrëdhënie vërtet të fortë së bashku. Ai ishte i pabesueshëm në atë kohë. Ai gjithashtu më mësoi shumë. Kam ndjenja shumë të forta për të”. Tekniku spanjoll është në skadencë kontrate dhe pritet që të rinovojë së shpejti: “Jam shumë mirënjohës për vendin ku jam ulur dhe njerëzit me të cilët punoj çdo ditë. Është vërtet e vështirë të gjesh atë harmoni dhe atë besim. Besoj se kemi një kohë të pabesueshme ende përpara nesh dhe jam shumë i emocionuar. Merkato? Gjithçka mund të ndodhë, në të dyja anët dhe ju duhet të jeni gati. Sidomos në javën e fundit, duhet të jeni vigjilent dhe të përgatitur, sepse shumë surpriza mund të vijnë për shumë arsye të ndryshme. Ne jemi të përgatitur”.
Aston Vila, rivali i sotëm i londinezëve i mundi sezonin e shkuar, ndërsa Arteta thotë për skuadrën e Emerisë: “Ata shënuan dhe ne jo, është shumë e thjeshtë. Në dy ndeshje, edhe pse patëm shumë shanse për ta bërë këtë, dhe ky ishte një nga dallimet e mëdha, një nga detajet që kemi analizuar. Ne duhet të luajmë më mirë nesër (sot). Ata janë një ekip i trajnuar mirë. Ata dominojnë çdo aspekt të lojës. Kur u jep hapësirë për të vrapuar, ata janë fenomenal dhe kur duhet të gjejnë hapësirë, ata janë në gjendje ta bëjnë këtë”.
PANORAMASPORT.AL