Ademola Lookman është kthyer sërish në qetësi dhe i përqendruar tek Atalanta. Sulmuesi nigerian, pas një vere të trazuar mes polemikave, mungesave në stërvitje dhe spekulimeve për një kalim të mundshëm tek Interi, që u bllokua nga klubi bergamask, ka rifilluar të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës nën urdhrat e trajnerit Ivan Juric.
Ky rikthim u bë i mundur pas një bisede vendimtare mes lojtarit dhe trajnerit, ku Lookman shprehu gatishmërinë për të lënë pas tensionet dhe për të dhënë maksimumin në fushë. Para se të bashkohej me grupin në seancën stërvitore të paradites, ai pati një moment edhe me shokët e skuadrës, duke u shpjeguar se e kishte kaluar një periudhë të vështirë, por se tashmë kishte gjetur qetësinë dhe motivimin për të vazhduar.
Sinjalet e para të pajtimit kishin ardhur që në fundjavë, ndërsa ky hap i fundit vulosi rikthimin e tij. Kapiteni De Roon kishte theksuar më herët se dera e skuadrës për Lookman do të ishte gjithmonë e hapur dhe këtë e tregoi edhe atmosfera në grup pas fjalimit të sulmuesit.
Me këtë kapitull të mbyllur, Atalanta dhe numri 11 i saj shohin përpara. Juric mund ta llogarisë për sfidat e ardhshme, dhe tashmë është e mundur që Lookman të përfshihet në listën e të grumbulluarve për ndeshjen e fundjavës në Torino.