Shkon në dy numri i viktimave nga atentati i ndodhur paraditen e së hënës në lagjen “1 Maji” të Fierit. J. H, nipi i Selami Hasanit, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit me armë zjarri, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit.
47-vjeçari mësohet se ka marrë katër plumba në trup. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Atentati ndodhi në oborrin e banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami”, ku persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të tij dhe nipit të tij. Si pasojë, 60-vjeçari Selami Hasani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Jakup Hasani u transportua me urgjencë në spital, ku më vonë ndërroi jetë.
Autorët dyshohet se janë larguar me një automjet tip “Volvo”, i cili u gjet i djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në aksin Fier–Vlorë. Brenda automjetit u gjetën edhe dy armë zjarri, njëra prej të cilave me silenciator.
Selami Hasani, i njohur edhe si “Seli i Malit”, kishte precedentë të mëparshëm kriminalë dhe prej rreth tre dekadash ishte në hasmëri me Arben Isufajn, i njohur si “Ben Qimja”. Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për një ngjarje të vitit 2002, ku mbetën të vrarë nipi i Isufajt, Julian Isufaj, dhe një kambist, ndërsa u plagos edhe një kalimtar. Ai kishte lënë qelinë në vitin 2022.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të atentatit.
/rtsh.al/