Miqësorja me Azerbajxhanin do të jetë testi i fundit i Kombëtares së Shqipërisë para Kampionatit Evropian që nis javën e ardhshme. Të premten prej orës 19:00, Shqipëria do të përballet me Azerbajxhanin, ndeshje kjo që luhet në Hungari.
Për Shqipërinë, kjo është ndeshja e dytë testuese brenda pak ditëve pasi të hënën e mposhti Lihtenshtajnin me rezultatin 3:0.
Edhe ndaj Azerbajxhanit, Sylvinho theksoi se do ti japë më shumë minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë dhe këtë e konfirmoi në konferencën për shtyp.
Po ashtu, Sylvinho foli edhe për listën përfundimtare, të cilën duhet ta zyrtarizoj të premten por nuk dha shumë detaje. Aktualisht, Sylvinho ka të grumbulluar 27 lojtarë dhe vetëm njëri prej tyre nuk do të ftohet për të qenë pjesë e ekipit në “Euro 2024”.
Sa i përket Evropianit që nis vikendin tjetër, Sylvinho shpreson që skuadra e tij të luaj më shumë se tri ndeshje, pra të avancoj nga faza e grupeve.
Shqipëria është pjesë e Grupit B, të cilin e përbëjnë edhe Italia, Kroacia e Spanja. Ndeshjen e parë në Evropian, Shqipëria e luan më 15 qershor kundër Italisë, kundërshtar që Sylvinho e vlerëson lartë. Po ashtu, Sylvinho pati fjalë të mëdha edhe për Kroacinë e Spanjën, ndërsa shtoi se Shqipëria ka mundësia ta shijoj pjesëmarrjen e dytë në Evropian dhe të tentoj të bëjë më të mirën.
Evropianin, Sylvinho e vlerësoi si turne të rëndësishëm dhe insistoi se të gjithë lojtarët e Shqipërisë janë të motivuar maksimalisht dhe do të tregojnë përgjegjësi në fushë.