Babai i Edon Zhegrovës, Lulzim Zhegrova, ka publikuar një fotografi nga ndeshja e fundit e Kosovës kundër Izraelit, duke bërë një koment që duket se i drejtohet jo vetëm djalit të tij si lavdatë, por disa futbollistëve të kombëtares si kritikë.
Në fotografinë e publikuar prej tij, gjatë intonimit të himnit të Izraelit, shihen Veldin Hoxha, Mergim Vojvoda dhe Milot Rashica me kokën e ulur, ndërsa Edon Zhegrova qëndron me kokën lart.
Krahas fotografisë, Lulzim Zhegrova ka shkruar: “Kokën lart çdoherë”, duke përgëzuar në këtë mënyrë djalin e tij për qëndrimin gjatë intonimit të himnit.
Megjithatë, mesazhi i tij mund të lexohet edhe si një thumbim ndaj futbollistëve të tjerë të Kosovës që shihen në fotografi me kokën e ulur. Publikimi ka nxitur vëmendje pikërisht për shkak të këtij krahasimi dhe kontekstit të ndjeshëm të ndeshjes me Izraelin.
Ndërkohë, Lulzim Zhegrova është i përfshirë edhe në politikë. Ai kishte kandiduar për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por nuk kishte arritur të siguronte votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Postimi i tij vjen në një kohë kur qëndrimet e futbollistëve gjatë ndeshjeve me Izraelin kanë qenë temë diskutimi, edhe përtej aspektit sportiv.