Markus Turam ka marrë peshën e rëndë mbi shpinë për të zëvendësuar golat e “veteranëve” Romelu Lukaku dhe Edin Xheko, ndonëse zikaltrit po monitorojnë tregun për të gjetur një tjetër opsion në fazën ofensive, marrë në konsideratë largimet në masë përgjatë repartit sulmues.
25-vjeçari zhvilloi një sezon pozitiv më ngjyrat e Borusia Mynshengladbahut, ndonëse dëmtimet luajnë rolin e tyre mbytës në ndërprerjen e ecurisë në fazën e dytë të ciklit 2022-2023. Bomberi francez ka ndarë në intervistën e fundit arsyen se përse zgjodhi të bashkohet në gjirin e Simone Inzagit dhe organizimin e brendshëm në të.
NDIKIMI I BABAIT- ”Duhet të kisha ardhur që para dy vjetësh këtu tek Interi, por lëndimi në gju bëri punën e vet dhe i zvarriti bisedimet deri në këtë pikë. Gjithsesi, e rëndësishëm është që më në fund jam këtu dhe besimplotë rreth së ardhmes.
Babai im ka luajtur rol përcaktues që zikaltrit të jenë zgjedhja ime e parë. Ai ka simpati të fortë për ta dhe këtë element më ka transmetuar edhe mua. Italia nuk është aventurë e re jetësore në rritjen time. Kam qenë shpeshherë me Lilian këtu. Spageti dhe molusqet janë të preferuarit e mi.
Sigurisht që preferencat nuk ndryshojnë”, tha mes buzëqeshjeve djali i legjendës transalpin, Lilian Turam. Interesante është se 51-vjeçari nuk ka luajtur kurrë në karrierën e tij profesionist me zikaltrit, përkundrazi, ai është inkuadruar me Juventusin në periudhën 2001- 2006, por mesa duket “ëndrrën” në sirtar e ka kaluar tek i biri.
GRUPI- ”Nuk e prisja që shokët e rinj të ekipit të më prisnin aq ngrohtë, vërtet u ndjeva i befasuar. Të gjithë janë tepër të sjellshëm, duke nisur nga Barela, Dimarko, Çalhanoglu, e deri tek Mikhitarian. Më pëlqen të shikoj shpesh derbet ndaj Milanit në ‘YouTube’. Inzagi më udhëzon zakonisht të sulmoj shpesh dhe nga thellësia, stili i cili gjen qasje në bazë të statistikave që posedoj”, përfundoi Markus Turam.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL