Pep Guardiola shpje gonte se arsyeja pse dilnin kaq shumë lojtarë të mirë nga akademia e Barcelonës (La Masía) ishte sepse trajnerët e Barcelonës guxuan të besonin në ta. Një normë që zbatohej në mënyrë të përkryer nga ata teknikë të rritur në klubin e Barçës si vetë Pep, Ksavi Hernandez, Luis Enrike apo edhe Ronald Kuman.
Problemet erdhën kur në krye të Barcelonës ishte një trajner i huaj, pasi besimi i tyre te të rinjtë ishte i zbehtë. Është më e vështirë për një trajner nga jashtë të sjellë “fëmijët” në skuadrën e parë, por kjo nuk po ndodh me Hansi Flik.
Krejt e kundërta. Ndoshta i kushtëzuar dhe nga mungesat e shumta, por gjatë gjithë fazës përgatitore u pa se trajneri i ri i katalanasve po u jepte hapësirë lojtarëve të rinj. Megjithatë konfirmimi erdhi në Valencia. Kur erdhi momenti i së vërtetës, ndeshja e parë e ligës në këtë rast në “Mestalla” (një fushë jo për eksperimente), gjermanit nuk iu drodh pulsi dhe ai vazhdoi me linjën e tij.
MBRËMJA E DEBUTUESVE – Të shtunë tre “fëmijë” bënë debutimin e tyre me ekipin e parë të Barçës: Mark Bernal (17), Gerard Martín (22) dhe Pau Viktor (22). Mark Kasado (20) gjithashtu e nisi si titullar, megjithëse ai kishte bërë debutimin e tij në sezonin e kaluar me Ksavin.
Në total, kundër Valencias luajtën 7 futbollistë të stërvitur në “La Masía”, gjë që tregon për vokacionin e trajnerit të ri për t’u parë më shumë nga Akademia e klubit, sesa te nënshkrimet nga ekipet e tjera.
KËNAQËSIA E PËRGJITHSHME – Dhe “fëmijët” po përgjigjen, sepse të gjithë luajtën në një nivel mjaft të mirë. Kasado ishte ai që kishte rëndësinë më të madhe. Duke luajtur në mesfushën me dy, ai u pa me një vokacion të qartë sulmues, duke u ngjitur shpesh në kërkim të portës rivale. madje duke iu afruar dhe golit.
EFIKASITET NË PASIM – Mark Bernal ishte i shkëlqyer në momentin e pasimit. Nëse në trofeun “Gamper”, ai u portretizua nga humbja e topit që kushtoi golin e parë të Monakos, në Valencia, efektiviteti i tij me top ishte i jashtëzakonshëm, 94.2% saktësi në pasim.
Një rekord i shkëlqyer duke pasur parasysh se ai luajti shumë minuta. Bernal është 17 vjeç, njëlloj si Kubarsi dhe Lamine Jamal. Të tre të datëlindjes 2007, të tre ishin titullarë në Valencia.
GERARD MARTIN DHE PAU VIKTOR – Këta dy lojtarë patën më pak peshë në fitoren e Barcelonës ndaj Valencias, por përsëri paraqitja e tyre është cilësuar e pranueshme. Të dy u hodhën në fushë në pjesën e dytë. I pari luajti gati gjysmë ore, ndërsa sulmuesi mezi luajti katër minuta, por mjaftuan për të krijuar një rast shënimi.
Në përgjithësi, të katër ishin në një nivel të lartë. Tani do të duhet të shohim rëndësinë që ata kanë me ardhjen e lojtarëve të rinj. Pedri pasi luajti disa minuta në “Mestalla” është gati të startojë kundër Bilbaos të shtunën e ardhshme.
Dhe Fermin gjithashtu do të kthehet dhe mund të luajë atë takim. Fermin Lopez, një tjetër nga xhevahiret e akademisë së Barcelonës do të bashkohet sot në stërvitje me ekipin, pas disa ditësh pushim si rrjedhojë e një vere të pafund me aktivizime me Spanjën në “Euro 2024” dhe Spanjën olimpike në “Paris 2024”.
BARÇA 2007 – Nëse shpërthimi i Lamine Jamal dhe Pau Kubarsit sezonin e kaluar nuk do të mjaftonte, brezi i 2007-ës te Barcelona vazhdon të japë fryte.
Hansi Flik rreshtoi edhe Mark Bernal në suksesin në Valencia të shtunën në mbrëmje, për të përfunduar duke formuar një formacion me tre lojtarë 17-vjeçarë. Kubarsi është i datëlindjes 22 janar 2007, mesfushori i datëlindjes 26 maji dhe Lamine Jamal më i vogli i datëlindjes 13 korrik. Mosha mesatare e formacionit titullar të Hansi Flik ishte 24,27 vjeç.
Me një ekip të përbërë nga tre lojtarë të rinj, plus Kasado dhe Balde (20), Ferran Torres (24), Kunde (25), Rafinja (27), Ter Shtegen (32), Injigo Martinez (33) dhe Levandovski (35).
Për t’i dhënë kontekst rinisë së tre lojtarëve të rinj, ne flasim për Jamal që nuk ka kujtime që e ka parë Ronaldinjon si lojtar i Barçës, Kubarsi ishte dy vjeç e gjysmë kur Pep Guardiola e udhëhoqi Barçën në kulmin e parë ose Mark Bernal nuk mund të dëshmonte tripletën e Leo Mesit në “Santiago Bernabeu” më 10 mars 2007.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL