Situata me futbollistët në Mynih po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Veçanërisht mbrojtja po i shkakton dhimbje koke trajnerit Vinsent Kompani. Aktualisht, fokusi është kryesisht te Min-xhae Kim. Qendërmbrojtësi ende vuan nga një dëmtim i “tendinit të Akilit” që nuk është shëruar plotësisht.
Sipas “tz”, ai po ndihet pak më mirë, por është shumë larg formës së plotë. Përveç kësaj, Kim ishte kohët e fundit ishte në fushë kundër St.Pauli, pavarësisht një dhimbje të fytit dhe një kollë të fortë. Si rezultat, ai tani ka probleme me shpinën, të cilat po e ngarkojnë më shumë. Koreani nuk u stërvit me ekipin të martën në mëngjes. Me Alfonso Dejvis, Daiot Upamekano dhe Hiroki Ito, Bajernit i mungojnë tre lojtarë të rëndësishëm me tipare mbrojtëse.
Kjo panoramë e detyron Kompaninë të vazhdojë të përdorë lojtarë të lënduar si Min-xhae Kim, edhe pse i duhet urgjentisht pushim. Në fitoren 3-2 ndaj St.Paulit, 28-vjeçarit iu desh të kalonte ndeshjen e plotë. Probleme me personelin ka edhe në mesfushë. Leon Gorecka vazhdon të luftojë me dhimbjet e shpinës dhe aktualisht po bën vetëm stërvitje individuale. Aleksandar Pavloviç është jashtë për shkak të sëmundjes.
Kingsli Koman është gjithashtu i padisponueshëm për shkak të acarimit të këmbës. Edhe pse Xhamal Musiala dhe Mishel Olize u rikthyen në stërvitjen e ekipit të martën në mëngjes pasi më parë iu dha një pushim për arsye të menaxhimit të ngarkesës, skuadra e përgjithshme mbetet e dobët. Kjo e vë trajnerin belg në një dilemë, a duhet të vazhdojë të mbështetet te Kim dhe lojtarë të tjerë të dëmtuar dhe të rrezikojë që dëmtimet e tyre të përkeqësohen?
Përndryshe, ai mund të vendosë Josip Stanisiç së bashku me Erik Daier në mbrojtjen qendrore. Për të stabilizuar më tej linjën mbrojtëse, Zhoao Palhinja do të ishte gjithashtu një opsion në mesfushën mbrojtëse. Vendimi se si Kompani do të formojë mbrojtjen në ndeshjet e ardhshme ka të ngjarë të varet shumë nga niveli i fitnesit të lojtarëve të dëmtuar. Kundër Augsburg dhe veçanërisht në çerekfinalen e Champions-it ndaj Interit, Bajerni do të ketë nevojë për një mbrojtje të fortë dhe sa më të përshtatshme.
Por kriza aktuale e dëmtimeve mund ta detyrojë “timonierin” e bavarezëve të marrë rreziqe. Një opsion mund të jetë rreshtimi me tre qendërmbrojtës, ama duket e vështirë që Vinsent të ndryshojë sistemin te klubi më i titullar në tokën gjermane karshi Interit, aty ku varen fatet e rrugëtimit në kompeticionin më elitar në rang klubesh.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL