Bajerni i Mynihut gjithmonë është përpjekur të sajojë zgjedhje alternative në fushën e blertë, pavarësisht rezultatit dhe kundërshtarit. Pikërisht këtë komponent duket se e ka vënë në praktikë edhe në rastin e operacionit “Herri Kejn”.
Nga mediat pranë bavarezëve bëhet e ditur se ata e kanë marrë vendimin për të përfshirë Benzhamë Pavarin si ndërmjetës të uljes së pretendimeve.
Presidenti i Totenhemit, Daniel Levi, përmes raportimeve nga mediat angleze, nuk ka ndërmend të pranojë asnjë propozim poshtë 100 milionë paundëve, saktësisht 115 milionë euro. Nga krahu tjetër shpenzimi i një sasie kaq të lartë të ardhurash është jashtë mundësive në kampin e rekordmenëve.
PLANI- Mbrojtësi Pavar vlerësohet sipas mediumit ekspert të “transfermarkt” në kufirin e 40 milionë eurove, çka do të thotë se Hënesit me shokë nga grupi i bordit do t’u mjaftonin 75 milionë euro në mbylljen e llogarive në një formë alternative.
PROBLEMI- Shefi i “gjelave” thuhet se do 115 milionë euro ndaj çdo kampi që kërkon të ketë në gjirin e vetë kryeshënuesin e përfaqësueses së “tre luanëve”. U përfol javën e shkuar se 61- vjeçari do t’i bënte dalje edhe paktit nëse bavarezët do ta shlyenin pagesën e Herrit me këste. Megjithatë, ka dy pika ku Totenhemi del i fituar nga rruga e planit të gjermanëve.
NEVOJA- Është fakt se londinezët janë vendosur në kërkim të një alternative në repartin e prapavijës dhe Pavari e ka dëshmuar se çfarë kualiteti posedon.
Nga korsia tjetër, 29-vjeçari është futur në vitin e fundit të kontratës dhe rreziku për t’u larguar me parametra zero në verën e vitit 2024 mund t’i hiqte nga duart miliona euro Levit.
Ditën e sotme pritet ballafaqimi final, pra nëse sulmuesi anglez do ta veshë këtë verë fanellën e kampionëve apo do të presë edhe një vit tjetër. Futbollisti me numër 10 në “Tottenham Hotspur Stadium” do t’i mbyllë diskutimet rreth “pykës” së ardhshme në Mynih.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL