Bajern Mynih ka zbarkuar këtë të diel në Singapor për pjesën e dytë të turit aziatik që bavarezët e drejtuar nga Tomas Tuhel po zhvillojnë para startit të sezonit. Dhe lojtarëve u është bërë menjëherë i qarët një rregull: Nuk duhet të mbajnë çamçakëzë.
Kjo, për shkakun e thjeshtë se në këtë shtet të vogël, importi dhe konsumimi i çamçakëzëve është i ndaluar me ligj që nga viti i largët 1992. E vetmja mënyrë për të konsumuar të tillë është nëse cilësohet e domosdoshme, që do të thotë se justifikohet me një raport mjekësor.
Me pak fjalë, i vetmi vend ku mund të blesh çamçakëzë në Singapor është një farmaci, dhe sigurisht që lojtarët e Bajern Mynih nuk do të përfundojnë në të tilla me receta në duar.
Sipas “Bild”, ligji i cili ka hyrë në fuqi me justifikimin për të shmangur ndotjen e ambienteve publike nga çamçakëzët, parashikon masa shumë të rrepta. Shkelësit dënohen me shuma që arrijnë në mijëra euro e për këtë arsye, të gjithë lojtarët e Bajerm Mynih janë paralajmëruar që të mos e bëjnë një gjë të tillë në shtetin aziatik.
PANORAMASPORT.AL