Tuesday, 26. May 2026
Sport

Ballkani fiton derbin e qytetit, Llapi pëson në Klinë

GS 20/10/2024 2 Min. Lesezeit

Kampioni në fuqi, Ballkani e ka fituar derbin e qytetit dhe atë të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Suharekës.

Ndeshja e luajtur të dielën në Suharekë, ka përfunduar me fitoren minimale të Ballkanit 1:0.

Golin e vetëm në këtë ndeshje, e realizoi Bleart Tolaj.

Tolaj shënoi nga afërsia në minutën e tretë pas asistimit të brazilianite Giovanni Ribeiro.

Me këtë fitore, Ballkani ngrihet në kuotën e 17 pikëve sa i ka edhe Malisheva, ndërsa Suhareka që regjistroi humbjen e tretë rresht ka 13 pikë.

Te Suhareka në derbin kundër Ballkanit, debutoi trajneri Qëndrim Kida që në këtë post zëvendësoi Shpëtim Duron e larguar.

Ndërkohë, të dielën 1:0 ka fituar edhe Dukagjini që mposhti skuadrën e Llapit në Klinë.

Hekuran Berisha në minutën e 58-të, shënoi golin e vetëm në këtë përballje pas asistimit të Altin Merlakut.

Për ekipin e trajnerit Ismet Munishi, kjo është fitorja e parë pas katër humbjeve rresht dhe tani ka tubuar 9 pikë sa i ka edhe Gjilani.

Në anën tjetër, Llapi regjistron humbjen e parë pas katër ndeshjeve pa disfatë dhe mbetet në kuotën e 14 pikëve.

Teilen: