Saturday, 29. August 2026
Sport

Ballkani mposht Drenicën në Skenderaj

GS 28/08/2026 2 Min. Lesezeit

Ballkani ka regjistruar fitoren e dytë në sezonin e ri të Albi Superligës së Kosovës, duke mposhtur Drenicën në udhëtim me rezultat minimal 1-0 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Para fillimit të ndeshjes, futbollistët e të dyja skuadrave dolën në fushë me fanella me mbishkrimin “Liria ka emër”, ndërsa atmosfera në stadium ishte mjaft e mirë.

Takimi nisi më mirë për vendasit, të cilët krijuan rastet më të rrezikshme në pjesën e parë.

Drenica pati mundësinë më të mirë për të kaluar në epërsi në minutën e 36-të, kur në favor të saj u akordua një penallti.

Megjithatë, kuqezinjtë nuk arritën ta konkretizonin rastin nga pika e bardhë, duke humbur mundësinë ideale për të marrë avantazhin para pushimit.

Në pjesën e dytë, Ballkani u shfaq më i organizuar dhe më i qëndrueshëm në lojë.

Skuadra nga Theranda filloi gradualisht të merrte kontrollin e takimit dhe në minutën e 71-të arriti të gjente golin që vendosi fatin e sfidës.

Abou Dosso realizoi një supergol, duke kaluar nënkampionët në epërsi dhe duke i dhënë Ballkanit tri pikë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Ballkani arrin në kuotën e gjashtë pikëve pas tri ndeshjeve, me bilanc prej dy fitoresh dhe një humbjeje.

Për momentin, skuadra nga Theranda ndodhet në vendin e dytë të tabelës, ndonëse ka zhvilluar një ndeshje më shumë se tetë skuadrat e tjera, të cilat pritet t’i luajnë sfidat e tyre gjatë vikendit.

Për Drenicën, ndërkohë, kjo ishte humbja e parë e sezonit.

Skuadra nga Skenderaj kishte regjistruar dy barazime në dy ndeshjet e para të Albi Superligës, ndaj Dukagjinit dhe Malishevës, por këtë herë nuk arriti të marrë pikë pavarësisht paraqitjes së mirë në pjesën e parë.

Teilen: