Sami Sermaxhaj më nuk është trajner i Ballkanit të Suharekës, ka njoftuar të hënën ekipi i Superligës së Kosovës në futboll.
Me anë të një njoftimi, Ballkani ka bërë të ditur se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Sermaxhaj.
Ndarja mes Ballkanit dhe Sermaxhajt, ka ardhur pas humbjes 1:0 nga Feronikeli ’74 në kuadër të xhiros së 13-të në elitën e futbollit kosovar.
“Klubi e falënderon trajnerin për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së bashkëpunimit”, ka shkruar Ballkani, duke i dëshiruar Sermaxhajt suksese në vazhdim të karrierës.
Sermaxhaj më 27 gusht mori drejtimin e Ballkanit duke u larguar nga posti i selektorit te ekipi A i femrave të Kosovës për ta zëvendësuar kroatin Mislav Karoglan.
Aktualisht, Ballkani renditet i pesti në tabelë me 19 pikë të tubuara pas 13 ndeshjeve të luajtura në Superligë.