Ballkani i Suharekës është finalisti i parë i Kupës së Kosovës në futboll. Kampioni në fuqi, eliminoi në gjysmëfinale ekipin e Suharekës, i cili bën gara në Ligën e Parë të Kosovës.
Në ndeshjen e kthimit të fazës gjysmëfinale, Ballkani që ishte vendas barazoi 2:2 me Suharekën, por ekipi i Ilir Dajës avancoi në finale falë fitores në duelin e parë.
Në duelin e parë, të luajtur para tri javësh, Ballkani fitoi 1:0 dhe në finale u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
Në ndeshjen e luajtur të mërkurën, Ballkani ishte në epërsi prej dy golave, të cilën nuk arriti ta mbajë deri në fund. Mbrojtësi Gentrit Halili e kaloi Ballkanin në epërsi 1:0 në minutën e 10-të, ndërsa Nazmi Gripshi e dyfishoi avantazhin në minutën e 73-të.
Deri në fund të takimit, Suhareka shënoi dy gola nëpërmjet Fitim Susurit, i cili në minutën e 82-të ngushtoi rezultatin në 2:1, përpara se në minutën e parë të kohës shtesë të shënoi golin e dytë për rezultatin përfundimtar të takimit.