Ballkani me sytë nga finalja e titullit në Tiranë. Fituesi i titullit kampion në Shqipëri pritet me mjaft interes edhe nga kampionët e Kosovës, pasi do të vendosë edhe pozicionimin e tyre në vazo, në prag të shortit për turin e parë eliminator të Champions League.
Deri tani janë ndarë të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në turin e parë, në vazon e më të fortave dhe atyre më pak favoriteve, teksa të vetmet që nuk e kanë njohur ende vazon ku do të bëjnë pjesë në short, janë Ballkani dhe skuadra kampione e Shqipërisë.
Nëse titulli kampion në Shqipëri do të fitohet nga Egnatia, atëherë në vazon e parë do të shkojë Ballkani, që pozicionohet më lart në renditjen europiane për klube sesa skuadra nga Rrogozhina.
Por e kundërta ndodh nëse kampion shpallet Partizani, që do të shkojë në vazon e më të fortave, pasi pozicionohet më lart se Ballkani në renditjen e përgjithshme të klubeve dhe do të zbresë në vazon e dytë kampionët e Kosovës.
Pozicionimi në vazon e skuadrave më të forta të jep shansin të kesh kundërshtarë më modestë në turin e parë eliminator të Champions League, ndaj Ballkani i Ilir Dajës do të jetë sy e veshë nga finalja e titullit në Shqipëri mes Egnatias dhe Partizanit, e cila do të startojë të dielën në orën 19:00.