Tuesday, 3. March 2026
Sport

Barazim me tensionit në Vlorë, Flamurtari dhe Vora ndajnë nga një pikë

GS 29/11/2025 2 Min. Lesezeit

Flamurtari nuk arriti të marrë tri pikët e shumëkërkuara në duelin ndaj Vorës, me sfidën e javës së 13-të në Superiore që u mbyll në barazim 1–1. Vlonjatët, të cilët mbeten në zonën e ftohtë të renditjes me vetëm 10 pikë, e nisën fort takimin dhe gjetën avantazhin në minutën e 34-t me golin e Todoroskit.

Reagimi i miqve erdhi menjëherë: vetëm katër minuta më pas, Kasalla përfitoi nga një moment i mirë në zonë dhe vendosi ekuilibrat, duke e çuar rezultatin në 1–1. Pikërisht në minutën e golit vlonjat, ndeshja u elektrizua edhe më shumë, pasi drejtori sportiv i Vorës, Bazjon Tragaj, u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Kreshnik Barjamaj pas një përplasjeje verbale me tifozët vendas.

Pjesa e dytë solli më shumë duele të forta sesa lojë të rrjedhshme. Të dy ekipet kërkuan hapësira për të goditur, por tensioni dhe ndërhyrjet e forta e fragmentuan ritmin, duke mos lejuar që të shënohej një gol tjetër.

Në fund, barazimi i shkon më shumë për shtat Vorës, e cila largohet nga një transfertë e vështirë me një pikë të vlefshme, ndërsa Flamurtari mbetet nën presionin e rezultateve dhe të renditjes së pakëndshme.

Teilen: