Përveçse do të ndeshen tri herë brenda pak ditësh, dy ndeshje për çerekfinalet e Champions League dhe një për La Ligën, Barcelona dhe Atletico Madrid kanë dhe një tjetër “ndeshje” mes tyre, këtë herë në merkato.
Tashmë dihet që objektivi kryesor i katalanasve për merkaton e verës së ardhshme është transferimi i Julian Alvarez, për të cilin janë të gatshëm të paguajnë deri 100 milionë euro.
Në anën tjetër, Atletico Madrid ka qartësuar sërish së fundmi që nuk e mendon largimin e sulmuesit argjentinas. Në rast se vetë lojtari këmbëngul të largohet, atëherë kjo gjë do të ndodhë vetëm në rast se paguhet klauzola e tij e lirimit që është 500 milionë euro.
Kujtojmë se Alvarez është nën kontratë me “Colchoneros” deri në vitin 2030, gjë që e vendos klubin madrilen në poztë komode për të mos lejuar largimin e tij gjatë verës së ardhshme, nëse nuk vjen oferta që ata duan.