Barcelona po shqyrton mundësinë e transferimit të talentit brazilian Estevao nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas mediumit spanjoll SPORT, drejtori sportiv i katalunasve, Deco, po e konsideron një marrëveshje huazimi për 19-vjeçarin, i cili nuk po arrin të ketë hapësirën e dëshiruar te skuadra londineze.
Estêvão ka regjistruar vetëm 269 minuta lojë këtë sezon, ndërsa së fundmi mbeti në bankën rezervë edhe në përballjen ndaj Liverpoolit, pavarësisht mungesave që Chelsea kishte në repartin ofensiv.
Barcelona kishte shprehur interesim për shërbimet e brazilianit edhe më herët, përpara se ai të transferohej te Chelsea.
Megjithatë, një marrëveshje e mundshme në janar nuk do të jetë e lehtë. Për realizimin e saj, fillimisht do të duhej që vetë futbollisti të kërkonte largimin në formë huazimi, ndërsa Chelsea gjithashtu duhet të japë pëlqimin për këtë lëvizje.
Mbetet të shihet nëse Barcelona do të ndërmarrë hapa konkretë për ta afruar talentin brazilian në Camp Nou gjatë afatit kalimtar të janarit.