Barcelona ka konfirmuar se Lamine Yamal është lënduar sërish dhe do të mungojë për disa javë.
Yamali sapo ishte rikthyer nga një dëmtim kundër Real Sociedad dhe më pas luajti edhe ndaj Paris Saint-Germain, por ende nuk e ka kaluar plotësisht shqetësimin e mëparshëm dhe do të qëndrojë jashtë fushave për 2-3 javët e ardhshme.
Deklarata zyrtare e klubit thotë:
“Shqetësimi në zonën pubike që po përjetonte lojtari Lamine Yamal është rikthyer pas ndeshjes kundër PSG. Ai do të mungojë në takimin me Sevillan dhe koha e rikuperimit vlerësohet të jetë 2-3 javë.”
Kjo do të thotë se Yamal nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e së dielës ndaj Sevillas dhe gjithashtu do të tërhiqet nga lista e Spanjës për kualifikueset e Kupës së Botës kundër Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.
Ai ka gjasa të mungojë edhe në sfidën me Gironën në La Liga dhe me Olympiacosin në Ligën e Kampionëve, por Barcelona shpreson që talenti i ri të jetë gati për “El Clasico” kundër Real Madridit më 26 tetor.