Barcelona ka dhënë një lajm shumë të mirë para ndeshjes të së shtunës në La Liga kundër Alavés. Klubi katalanas publikoi një foto në X me mbishkrimin: “Pedri po punon sërish me grupin”, duke konfirmuar rikthimin e mesfushorit 23-vjeçar në stërvitje.
Pedri u stërvit të enjten me pjesën tjetër të skuadrës dhe është në rrugën e duhur për të marrë “OK”-in mjekësor, çka mund t’i mundësojë atij të jetë pjesë e listës për takimin në “Spotify Camp Nou”.
‘Ylli’ spanjoll ka qenë jashtë fushave prej një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës, mungesë që u ndie veçanërisht në humbjen e Barcelonës në Champions League kundër Chelsea-t, ku skuadra e Hansi Flick-ut vuajti mungesën e vizionit dhe kontrollit të ritmit që sjell Pedri.
Rikthimi i tij i afërt pritet të rikthejë boshtin e preferuar të mesfushës përkrah Frenkie de Jong, duke i lejuar gjithashtu Eric Garcías të rikthehet në qendër të mbrojtjes.


