Barcelona synon t’i përgjet Real Madridit në fushë, por edhe jashtë saj, duke pasur Nico Williams si kundërpërgjigje për Mbape. Por ylli i ri i Spanjës ka një klauzolë lirimi 58 milion euro në kontratën me Atletik Bilbaon, tepër e lartë për katalanasit, ndërkohë që klubi bask nuk bën ulje.
Real Madrid fitoi titullin në Spanjë dhe Champions League sezonin e kaluar, ndërkohë që dje prezantoi Kilian Mbape, blerja më e rëndësishme e viteve të fundit. Kjo është e tepër për Barcelonën dhe klubi katalanas synon të përgjigjet menjëherë në merkato, për të rivalizuar me të bardhët në fushë e jashtë saj. Përgjigjja më e mirë për Mbape do të ishte Nico Williams i Atletik Bilbaos, një nga lojtarët më të mirë të Spanjës në Euro 2024, ku formoi një dyshe fantastike me djaloshin e Barcelonës, Lamine Yamal.
Për më tepër, dy të rinjtë janë edhe miq të mirë jashtë fushe, çka do të ndikonte më së miri për krijimin e një atmosfere pozitive. Por blerja e Nico Ëilliams nuk është aspak një detyrë e lehtë për klubin katalanas. Lojtari ka një klauzolë lirimi 58 milion euro dhe Bilbao ka bërë të ditur se kush dëshiron Williams duhet ta paguajë të plotë, pa hyrë në bisedime.
Shifra është tepër e lartë për Barcelonën, që duhet të reduktojë shpenzimet dhe të ulë bilancin e pagave. Pengesë tjetër mund të bëhet konkurrenca. Arsenal është gjithashtu i interesuar, ndonëse, ashtu si Barcelona nuk dëshiron të paguajë klauzolën. Williams është diskutuar edhe te Bayern, që mund ta paguajë klauzolën, por për momentin bisedimet dhe paratë janë përqendruar te Xavi Simons dhe Doue.