Barcelona ka marrë fitoren e katërt rresht në La Liga, duke fituar sot 5-2 ndaj Sevilla në sfidën e luajtur në “Camp Nou”, e vlefshme për javën e 28-të.
Katalanasit shënuan dy herë me Raphinha nga pika e bardhë e penalltisë, në të dy rastet e fituar pas faullit në zonë ndaj Joao Cancelo. Në minutën e 9-të, Raphinha shënoi me panenka nga pika e bardhë. Në minutën e 21-të, braziliani sërish u tregua i saktë nga 11-metrat, këtë herë duke shënuar me një goditje të fortë me të majtën.
Në minutën e 38-të, ishte radha e Dani Olmo për të gjetur golin, duke shënuar me të djathtën brenda zonës. Në minutën e fundit shtesë, Sevilla gjen golin e parë me Oso, i cili shënoi me një goditje të bukur brenda zonës pas asistit të Juanlu Sanchez. Pjesa e parë mbyllet 3-1 për katalanasit.
Në pjesën e dytë, Barcelona shënoi edhe dy herë të tjera. Në minutën e 51-të, Raphinha kompleton tregolëshin e tij. Në minutën e 60-të, Joao Cancelo tregohet një sulmues i mirëfilltë dhe pas një topi të marrë nga mesi i fushës, kalon mbrojtjen kundërshtare dhe e dërgon në rrjetë. Ky është goli i parë për portugezin pas rikthimit te katalanasit gjatë merkatos së janarit.
Në minutat shtesë, Sevilla gjen golin e dytë me Djibril Sow, i cili shënoi me kokë pas krosimit të Oso. Barcelona fiton 5-2 dhe mban vendin e parë me 70 pikë, 4 pikë më shumë se Real Madrid i vendit të dytë. Sevilla mbetet në vendin e 14-të.