Barcelona do të duhet të përballojë një mungesë të rëndësishme në javët e ardhshme. Talenti i madh i futbollit spanjoll, Lamine Yamal, do të mungojë në tri ndeshjet e radhës për shkak të një shqetësimi fizik, raporton “Mundo Deportivo”.
Sulmuesi 18-vjeçar do të humbasë ndeshjen hapëse të Champions League ndaj Newcastle United, si dhe dy sfidat pasuese në La Liga, kundër Getafes dhe Real Oviedos.
Problemi shëndetësor
Yamal po vuan nga një shqetësim në zonën pubike, i cili u përkeqësua gjatë angazhimeve të tij me kombëtaren e Spanjës këtë muaj. Sipas raportimeve, dhimbjet kishin nisur që në përballjen me Levanten dhe u rritën pas ndeshjes me Rayo Vallecano-n. Ky problem e detyroi atë të mungonte edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Valencias.
Rikuperimi dhe objektivi kryesor
Barcelona nuk do të rrezikojë me talentin e saj më të madh. Klubi katalanas po e trajton situatën me kujdes, duke synuar një rikthim gradual në ndeshjen e 28 shtatorit kundër Real Sociedadit, një sfidë që përkon me kthimin e ekipit në “Spotify Camp Nou”.
Megjithatë, synimi kryesor është që Lamine Yamal të jetë në formë të plotë më 1 tetor, kur Barcelona do të përballet me Paris Saint-Germain në një duel të madh të Champions League.
Deri atëherë, lojtari do të vazhdojë seanca ditore fizioterapie dhe trajtime të personalizuara për të përshpejtuar rikuperimin.
Alternativat për Flick
Në mungesë të Yamal, trajneri Hansi Flick do të ketë në dispozicion Raphinha-n për krahun e djathtë, ndërsa edhe afrimi i ri, Roony Bardghji, shihet si një alternativë serioze për të marrë minuta.