Përveç afrimeve të reja, Barcelona është e përqendruar këtë verë edhe në përfundimin e rinovimeve të rëndësishme të kontratave, dhe më prioritarja prej tyre është ajo e mesfushorit holandez, Frenkie de Jong.
Lojtari po hyn në 12 muajt e fundit të kontratës së tij aktuale, por situata ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me fillimin e vitit.
Në fillim të vitit 2024, largimi i de Jong nga “Camp Nou” dukej i pashmangshëm.
Megjithatë, pas rikthimit si titullar gjatë gjysmës së dytë të sezonit 2024/25, situata ka marrë një kthesë pozitive.
Tashmë konsiderohet thuajse e sigurt se ai do të rinovojë me klubin.
Sipas gazetës Sport, ekziston një marrëveshje parimore mes Barcelonës dhe de Jong që ai të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2029. Vetë lojtari ka deklaruar publikisht se dëshiron të qëndrojë në Katalonjë.
Marrëveshja do të finalizohet pas ndarjes zyrtare të lojtarit me agjentin e tij aktual. De Jong do të përfitojë një rritje të lehtë të pagës bazë, ndërkohë që Barcelona do të ketë mundësinë të ristrukturojë borxhin ndaj lojtarit që lidhet me pagat e shtyra gjatë pandemisë së COVID-19.
Kjo do të krijojë hapësirë të konsiderueshme në limitin e pagave, duke i hapur rrugë regjistrimit në La Liga të lojtarëve të rinj si Joan Garcia dhe Nico Williams – ky i fundit pritet të firmosë gjatë javës që vjen.
Pas një sezoni të shkëlqyer nën drejtimin e Hansi Flick, klubi nuk ka asnjë dilemë: Frenkie de Jong është një pjesë kyçe e projektit të ardhshëm të Barcelonës.