Wednesday, 29. July 2026
Sport

Barcelona rivalizon Realin në garë për Rodrin

GS 29/07/2026 2 Min. Lesezeit

Barcelona ka identifikuar kapitenin e Manchester Cityt, Rodrin, si objektivin kryesor për të zgjidhur mungesën në mesfushën defensive.

Sipas gazetarit Matteo Moretto në Radio MARCA, drejtuesit katalunas kanë përshpejtuar kërkimin për një mesfushor me tipare mbrojtëse pas lëndimit të rëndë në gju të Frenkie de Jongut, i cili e ka lënë trajnerin Hansi Flick me pak alternativa në këtë repart.

Aktualisht, Barcelona ndodhet në fazën fillestare të operacionit, duke kontaktuar ndërmjetës për të kuptuar nëse transferimi mund të realizohet, veçanërisht duke pasur parasysh kufizimet financiare dhe rregullat e pagave.

Megjithatë, sipas raportimit, rivali i përjetshëm, Real Madridi, është një hap përpara në garë. “Los Blancos” thuhet se kanë nisur tashmë bisedime të drejtpërdrejta me Manchester Cityn, i cili e vlerëson Rodrin mes 50 dhe 60 milionë eurove.

Mesfushori 30-vjeçar ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin anglez dhe prioriteti i tij, në rast largimi nga Manchester City, është rikthimi në Spanjë.

Ky fakt u jep shpresë si Barcelonës, ashtu edhe Real Madridit, të cilët pritet të zhvillojnë një betejë të fortë në merkaton e verës për një nga mesfushorët më të mirë në botë.

Teilen: