Barcelona mund të përballet me një zbritje pikësh në Ligën e Kampionëve për shkelje të rregullave financiare të UEFA-s për herë të dytë radhazi.
“Blaugranat” përfunduan të dytët në tabelën e parë të Ligës së Kampionëve me 36 skuadra, duke marrë 19 pikë nga tetë ndeshje dhe duke humbur vetëm një.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick arriti deri në gjysmëfinale, ku u eliminua nga Inter Milan – duke humbur 7-6 në total pas një goli të Davide Frattesi në kohën shtesë.
Pasi fituan La Liga-n, Barcelona shpreson të përmirësohet në Evropë sezonin e ardhshëm, por mund të marrë një disavantazh të madh nga UEFA.
Sipas Martyn Ziegler të The Times, Barcelona nuk ka respektuar rregulloret strikte të vendosura nga UEFA, e cila pritet të njoftojë dënimet gjatë këtij muaji.
Raporti thekson se, pasi bëhet fjalë për shkelje të përsëritur, dënimet e mundshme për Barcelonën përfshijnë: zvogëlim të numrit të lojtarëve në listën e Champions-it për sezonin e ardhshëm, ose edhe zbritje pikësh.
Klubi ka pasur vështirësi financiare prej disa vitesh dhe vendosi të shesë të drejtat e transmetimit dhe platformën e tyre të brendshme të përmbajtjes.
Katalanasit shpresuan që këto të ardhura të konsideroheshin “të ardhura të tjera operative” në përputhje me Rregullat e Fair Play Financiar (FFP), por UEFA i cilësoi si “fitime nga shitja e aktiveve jo-materiale”.
Barcelona u gjobit me 420 mijë paund për raportim të pasaktë të fitimeve dhe nuk ia doli të apelojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin (CAS). CAS deklaroi se “një shkelje e ngjashme do të sillte një masë disiplinore edhe më të ashpër” nga Bordi i Kontrollit Financiar të UEFA-s (CFCB).
Sanksioni duket se është në prag pasi klubi ka kaluar limitet e humbjeve të lejuara.
Dy klube të Premier League përballen me penalitete financiare
Chelsea dhe Aston Villa gjithashtu kanë shkelur rregullat për herë të parë dhe kanë nisur bisedimet me CFCB për një marrëveshje financiare.
Rasti i Chelsea ka të bëjë me kalimin e kufijve të humbjeve pasi shitën ekipin e tyre të femrave një kompanie motër për 200 milionë paund.
Chelsea u përpoq të deklaronte të ardhura nga kjo shitje, por kjo është e ndaluar sipas rregullave të qëndrueshmërisë financiare të UEFA-s, duke treguar shkelje të rregullave sezonin të kaluar.