Barcelona është përfshirë në një vorbull merkato, teksa ka nisur numërimi mbrapsht deri në mbylljen e saj. Pavarësisht vështirësive financiare, klubi spanjoll nuk ka ndër mend të heqë dorë nga përforcimi i skuadrës.Dhe siç raportojnë mediat spanjolle dhe ato italiane, dy emra të rinj janë shfaqur në horizontin blaugrana. Barça po mendon për Rafael Leaon (Milan) dhe Enriko Kiezën (Juventus). Barça dëshiron të mbyllë merkaton me një anësor sulmues të nivelit të lartë dhe kanë folur për Rafën me agjentin e lojtarit Zhorzh Mendesh, ndërsa kanë diskutuar për çështjen e Kiezës me Ramadanin. Gjithsesi, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare do të duhet kohë dhe punë.
Veçanërisht në rastin e sulmuesit portugez të Milanit. Sot për sot Leao është i patransferueshëm për Milanin. Histori e ndryshme për Kiezën, lojtarit i pëlqen shumë Barcelona dhe Juventusi ka kohë që kërkon një klub të gatshëm për të nënshkruar me sulmuesin; në të njëjtën kohë do të ishte ende një operacion për t’u ndërtuar dhe me pak kohë në dispozicion. Plus, në Barcelonë ata kanë një problem të madh…
LEAO, GATI I PAMUNDUR – Për të kuptuar seriozitetin e Barcelonës në lidhje me Leaon, duhet sqaruar që në fillim se klubi spanjoll nuk ka bërë asnjë ofertë për Leaon. Gjithçka është në kuadrin e një dialogu eksplorues. Situata thotë se operacioni është shumë i ndërlikuar, gati i pamundur. Mendesh, natyrisht, është agjenti më i fuqishëm i 10-20 viteve të fundit të futbollit ndërkombëtar dhe, megjithëse jo zyrtarisht agjent i Leaos, ai ka qenë gjithmonë një referencë për klubet që kanë menduar për portugezin. Megjithatë, Barcelona sigurisht që nuk mendon të paguajë shuma afër 175 milionëve që përkon me klauzolën e lojtarit. Për më tepër, Milani s’ka ndërmend të shesë numrin e vet 10. Gjithashtu sepse kanë mbetur pak më shumë se 10 ditë deri në fundi i merkatos dhe Milani duhet të kërkojë një alternativë brenda pak ditësh, me ndërlikimet logjike të rastit.
KIEZA MË REALE – Jemi në sondazhe edhe për Kiezën me agjentin e tij Fali Ramadani, asnjë ofertë për Juventusin për momentin. Por këtu nuk do të kishte asnjë komplikim, lojtari tashmë është jashtë projektit të Tiago Motës dhe Juvja ka javë që kërkon një klub të gatshëm për ta marrë lojtarin, me avantazhin e bardhezinjve që të ulë pagën (ishviola fiton 5 milionë euro neto në vit). Për më tepër, enturazhi i Kiezës siguron se destinacioni Barcelonë do të ishte shumë i mirëpritur nga pikëpamja teknike dhe jo vetëm. Një faktor shtesë që do të ndihmonte operacionin: sipas mediave spanjolle, Barça do të shkonte deri aty sa t’i ofronte 14 milionë Juventusit për çmimin dhe një pagë trevjeçare për lojtarin. Në rastin e Kiezës, çështja nuk do të ishte një “jo” nga Juventusi, por situata e brendshme e katalanasve është ajo që shqetëson më shumë.
FINANCAT E BARCELONËS – Dëshirat e Barcelonës në tregun e transferimeve janë të mëdha. Klubi dëshiron me çdo kusht të ndërtojë një skuadër të denjë për të rivalizuar me Realin e Madridit. Por dëshirat janë një aspekt dhe mundësitë janë një tjetër. Janë financat dhe rregullat strikte të “fair play” financiar të La Ligës që vënë me shpatulla pas muri Laportën. Barcelona ka firmosur me Dani Olmon, por nuk e ka federuar ende lojtarin, pasi masa e pagave nuk ia lejon. Barçës i duhet të shesë për të federuar mesfushorin e kombëtares spanjolle. Kjo është arsyeja pse Barça po përpiqet dëshpërimisht të largojë Gyndoanin dhe Vitor Roken. Këto largime mund të ndihmonin klubin të federonte Olmon dhe të mendonte për Kiezën. Për këtë arsye është thuajse e sigurt që Rafael Leao do të jetë në Romë më 31 gusht, me logon e Milanit në gjoks, në fushë kundër Lacios, ndërsa në Kieza…
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL