Lautaro Martínez foli për ESPN pas ndeshjes Real Madrid–Inter dhe konfirmoi interesimin e Barcelonës gjatë merkatos së fundit. Kapiteni i Interit bëri të qartë se, pavarësisht ofertave apo interesimit nga klubet e mëdha, ai zgjodhi të qëndrojë në Milano:
“Edhe pse ka klube të mëdha që të kërkojnë, duhet të jesh gjithmonë mendërisht i përgatitur për vendin ku je. Ka pasur interesim nga Barcelona, por në fund vendosa të qëndroj te Interi. Kam kontratë dhe jam i lumtur në klub. Njerëzit më duan dhe dua të vazhdoj të bëj gjëra të rëndësishme këtu.”
Pak ditë më parë, presidenti i Interit, Beppe Marotta, kishte konfirmuar interesimin e Barcelonës për kapitenin zikaltër: “Po, kjo është e vërtetë, por përgjigjja jonë ishte shumë e qartë. Edhe lojtari shprehu dëshirën për të vazhduar me ne. Ai është kapiteni ynë, përfaqëson historinë e tashme dhe të ardhme të Interit. Pra, jetë të gjatë atij!”