Skuadra e të rinjve të Kaljarit ka shkruar historinë sot teksa ka fituar për herë të parë Kupën e Italisë për ekipet Primavera. Një fitore e merituar, pas një finaleje të dominuar përballë favoritëve të Milanit.
Skuadra kaljaritane triumfoi me shifrat 3-0 dhe kësisoj, shkroi emrin e vet në “Librin e Artë” të këtij turneu për herë të parë, pas një ndeshje ku kishte shumë tifozë VIP në tribunën e stadiumit “Gianni Brera” në Milano. Masimo Odo, Alberto Xhilardino e Kristian Maldini ishin disa prej tyre, por surpriza e vërtetë ishte prania e mesfushorit të Interit, Nikolo Barela.
Ky i fundit ishte kthyer nga Mynihu pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndaj Bajernit, por nuk mungoi në finalen e Kupës për të rinjtë, ku bëri tifo për Kaljarin. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Sulmuesi i Kaljarit, Alesandro Vinçiguerra, i cili shënoi golin e parë të sfidës, është i fejuari i motrës së tij, Martina. Ndaj Barela ishte i pranishëm në këtë sfidë për të mbështetur kunatin e tij.
PANORAMASPORT.AL