Eliminimi i Inter-it nga Botërori i Klubeve nuk ka qenë e vetmja notë negative e mbrëmjes për tifozët zikaltër. Këta të fundit kanë parë teksa në sy të publikut disa protagonistë të sukseseve zikaltër të viteve të fundit nuk kanë kursyer “thumbimet” karshi njëri-tjetrit.
I pari që zbriti në “ring” pas disfatës me ekipin brazilian ishte Lautaro Martinez, i cili pa përmendur emra konkret “ftoi” shokët e ekipit që të largoheshin nëse nuk ndiheshin pjesë e projektit. Pas sulmuesit përballë gazetarëve u shfaq edhe presidenti i Inter-it, Giuseppe Marotta, i cili pa përdorur shumë lojra fjalësh tha: “Lautaro i referohej Çalhanoglut, kur tha se kush nuk ndihej mirë këtu duhet të largohet. Nëse një lojtar nuk dëshiron të qëndrojë atëherë më mirë të largohet, dera është e hapur për të gjithë”.
Pas dy deklaratave të Lautaros dhe Marotta-s nuk ka vonuar edhe përgjigja e Çalhës, i cili është mbbrojtur nga bashkëshortja e tij me një mesazh të publikuar në rrjetet e saj sociale. “Disa persona nuk janë besnik ndaj teje si njeri, por janë besnik ndaj nevojës që kanë për ty. Kur kjo nevojë ndryshon atëherë ndryshon edhe besnikëria e tyre. Hakan mos u ndje keq se ke një zemër të mirë”, ishte mesazhi i Sinem Gundogdu.