E shtuna e 10 gushtit ishte lënë si dita e prezantimit të drejtuesve dhe pronarëve të rinj të Kukësit, por për arsye burokratike, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Mesditën e së shtunës, ishte organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e sallës së konferencave të stadiumit “Kukës Arena”, por për shkak se klubi nuk kishte arritur më parë dakordësinë me Bashkinë e Kukësit, nuk arritën dot që të hynin në ambientet e stadiumit dhe të kryenin konferencën për shtyp. Një situatë sa tragjike aq edhe komike, që tregon se me çfarë po përballet klubi verilindor dy javë para startit të kampionatit.
Për këtë arsye, konferenca është lënë për një ditë tjetër dhe mbetet për t’u parë nëse do të bëhet sërish në Kukës apo kësaj herë në Tiranë, meqenëse në tentativën e parë dështuan për të hyrë në stadium. Sa i përket klubit, Bashkia e Kukësit nuk ka më asnjë detyrim me ekipin e parë të futbollit, sepse aksionet e saj i kishte shitur kohë më parë dhe në pronësi ka vetëm stadiumin si aset të qytetit.
Duke parë situatën që ndodhi me ditën e shtunë, nuk dihet nëse bashkia e Kukësit do të hapë dyert për të luajtur Kukësi ndeshje apo drejtuesit e rinj do të gjejnë një tjetër zgjidhje. Në fakt, ekipi ndër vite, si seancat stërvitore edhe grumbullimet i ka pasur në kryeqytet dhe në Kukës shkonte vetëm për të luajtur ndeshje. Mesa duket, tani rrezikon që të mos udhëtojë më drejt Kukësit dhe ndeshjet t’i luajë sërish diku tjetër, gjithnjë nëse mes drejtuesve të rinj dhe bashkisë së Kukësit nuk do të ketë një zgjidhje për këtë situatë. Ndërkohë që kampionati është në prag dhe koha nuk pret më, teksa sfidën e parë skuadra e Kukësit e luan ndaj Erzenit si pritës.