Të dielën në fushë të Gostivarit Shkëndija kërkon suksesin e radhës në kampionat, për seri të re fitoresh dhe përforcim të vendit të parë.
Shkëndija pas dy ditëve të lira që stafi teknik u dha lojtarëve pas fitores të së dielës në xhiron e 8-të të Ligës së Parë maqedonase, është kthyer në stërvitje duke vijuar përgatitjet për sfidën e ardhshme të dielën ndaj Gostivarit.
Mbrojtësi i djathtë Bashkim Velija nuk fsheh kënaqësinë që skuadra me fitoren 1:0 ndaj Makedonija Gj.P. menaxhoi të kthehet në rrugën e fitoreve, derisa kërkojmë vazhdimësi për të ruajtur pozitën e parë në renditje.
“Pesë fitore në 7 ndeshje dhe pozita e parë në renditje me një ndeshje më pak sigurisht se është ecuri e kënaqshme edhe pse e dimë mirë se mundemi dhe duhet akoma më mirë. Gëzon reagimi që sollëm pas humbjes ndaj Sileksit dhe tani na duhet vazhdimësi për seri të re të fitoreve”, thotë Velija.
30 vjeçari beson se loja e skuadrës do të përmirësohet në vazhdimësi, derisa ka qenë e vlerës së madhe marrja e tre pikave në transferta të vështira si Voska, Tikveshi e Rabotniçki.
“Na presin ndeshje të vështira, që të dielën ndaj Gostivarit. E dimë mirë se çka duhet të bëjmë. Jemi lider dhe çdo ekip dëshiron pikë nga duelet me ne. Ne nuk fokusohemi në atë se shihemi si skuadra që duhet mundur, thjesht koncentrohemi në atë që ne duhet ta bëjmë. Të gjithë kemi një synim, fitore në çdo ndeshje të ardhshme”, shtoi Bashkim Velija.