Thursday, 7. May 2026
Futboll

Bashkimi dhe Trepça kualifikohen në finale të Playoff-it të Procredit Superligës

GS 07/05/2026 2 Min. Lesezeit

Bashkimi mposhti Borën me rezultatin 100–76 në ndeshjen e pestë vendimtare dhe, duke fituar serinë 3–2, siguroi kualifikimin në finale të Playoff-it.

Pjesa e parë ishte e barabartë, por ndryshimi u bë në çerekun e tretë, ku prizrenasit shfaqën dominim të plotë. Bashkimi ishte shumë efikas nga gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar 12 treshe nga 25 tentime, me një saktësi prej gati 50%.

Lojtarët kryesorë të Bashkimit ishin Lejson Zeqiri me 23 pikë dhe 6 kërcime, Nwamu me 21 pikë dhe 5 asistime, dhe Shannon Shorter me 20 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime. Te Bora, më efikasi ishte Tyler Cheese me 21 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime, ndërsa Rron Ukaj shtoi 15 pikë dhe 5 kërcime.

Në finale, Bashkimin e pret rivali i vjetër Trepça, me ndeshjen e parë që zhvillohet më 10 maj në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Ndërkohë, Trepça kualifikohet në finale pas fitores ndaj Pejës me rezultatin 103–96 në ndeshjen vendimtare, duke fituar serinë gjysmëfinale 3–1. Ndeshja ishte mjaft e luftuar, me shumë kthesa: Peja udhëhoqi në fillim 27:14, por kampionët rikuperuan fuqishëm në periudhën e dytë dhe shkuan në pushim me rezultat 46:58. Drama vazhdoi deri në fund, kur Peja ngushtoi rezultatin në 91:92, por përvoja e Trepçës vendosi fatin e ndeshjes.

Lojtarët më të spikatur te Trepça ishin Dardan Berisha me 24 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime dhe Daquan Bracey me 31 pikë dhe 8 asistime. Te Peja, më të dalluarit ishin Akili Vining me 24 pikë dhe Sek Henry dhe Kenneth Hasbrouck me nga 18 pikë secili.

Finalja e Superligës do të jetë ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, duke premtuar një duel të fortë dhe dramatik për titullin kampion.

Teilen: