Basketbollistet e Bashkimit do të përballen me ato të Prishtinës në finalen e Ligës Unike, që zhvillohet sonte prej orës 20:00 në kryeqytet.
Turneu “Final 4” i Ligës Unike nisi të hënën, ku Bashkimi dhe Prishtina me sukses i kaluan ndeshjet gjysmëfinale. Ky është edicioni i tretë i Ligës Unike për basketbolliste, ndërsa “Final 4” po organizohet për herën e dytë në Prishtinë.
Bashkimi në gjysmëfinalen e parë mposhti Tiranën me shifrat 73:54, ndërsa në gjysmëfinalen e dytë, Prishtina triumfoi ndaj Penzës me rezultatin 74:57. Amerikania Adrienne Godbold dhe Jeta Zeka e udhëhoqën Bashkimit drejt finales pasi ishin më të dalluarat kundër Tiranës. Godbold pati 27 pikë e 28 kërcime, ndërsa Zeka shtoi 20 pikë për fitoren e 11-të rresht të Bashkimit në Ligën Unike.
Ndërkohë, më efikaset te Prishtina ndaj Penzës ishin amerikanet Jade Williams me 20 pikë dhe Asianne Johnson me 18 pikë të realizuara.
Për Bashkimin, kjo është hera e parë që po paraqitet në finalen e Ligës Unike pasi në dy edicionet e mëparshme përfundoi i treti. Për dallim prej Bashkimit, Prishtina e ka fituar edicionin e parë të kësaj gare, ndërsa të dytin përfundoi në pozitën e katërt.
Bashkimi në stinorin e rregullt të Ligës Unike ka qenë ekipi i vetëm pa humbje, duke regjistruar dhjetë fitore në po aq ndeshje të luajtura.
Po ashtu, Bashkimi këtë edicion ka fituar edhe Superkupën e Kupën e Kosovës, duke e mposhtur Prishtinën në të dyja finalet. Bashkimi dhe Prishtina janë edhe në finalen e plejofit për titullin e kampionit, ku ekipi nga Prizreni po avancon 1:0 pas ndeshjes së parë. Bashkimi është edhe kampion në fuqi i Kosovës.