Bashkimi i Prizrenit e ka eliminuar të mërkurën mbrëma Borën dhe ka avancuar në finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.
Pas fitores bindëse në ndeshjen e pestë të serisë finale me rezultatin 100:76, Bashkimi e Trepça, njësoj si në edicionin e kaluar, do të luajnë për titull kampioni.
Bashkimi e fitoi serinë e gjysmëfinales ndaj Borës 3:2.
Ndeshja e parë në Prizren u mbyll 73:70, ndërsa në Prishtinë në duelin e dytë, Bora fitoi 76:75. Bashkimi fitoi sërish në Prizren 88:73, njësoj si Bora në përballjen e katërt, 104:99.
Por, dueli i pestë i zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren ishte vendimtar.
Me përkrahjen e madhe të tifozëve, Bashkimi shpërtheu në çerekun e tretë ku nisi edhe shkëputja në rezultat. Deri në fund të përballjes, “portokallezinjtë” e ruajtën epërsinë për fitore që i dërgon në finale.
Bora e fitoi 23:19 periudhën e parë, ndërsa Bashkimi triumfoi në të dytin 28:21.
Edhe më thellë, 28:19, Bashkimi e fitoi çerekun e tretë, ndërsa në periudhën e fundit ishte bindës dhe e ruajti epërsinë e krijuar.
Finalet tani do të luhen me katër fitore, ndërsa do të luhen të dielën dhe të mërkurën.
Seria finale nis të dielën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, nga ora 19:30. Trepça do ta ketë përparësinë e terrenit vendës pasi në stinorin e rregullt përfundoi në pozitën e parë, kurse Bashkimi në të dytin.
Trepça në gjysmëfinale e eliminoi Pejën me rezultatin 3:1 në seri. Bora ndërkohë befasoi duke fituar përballë Prishtinës në çerekfinale, por ishte e pafuqishme përballë Bashkimit, nënkampionit të Kosovës.