Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Bashkimi ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në kuadër të fazës grupore të stinorit të rregullt në FIBA Europe Cup.
Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, një javë pas Cibonës së Zagrebit, u mposht edhe skuadra e njohur nga Italia, Reggiana.
Të mërkurën mbrëma, Bashkimi arriti fitore historike edhe me përkrahjen e tifozëve, duke triumfuar ndaj Reggianas me rezultat 77:76.
Më i merituari për këtë fitore, padyshim që ishte Jeremiah Bailey që shënoi dy pikë për rezultatin përfundimtar kur kishin mbetur edhe 10 sekonda lojë, përpara se Dequon Lake ta bllokojë lojtarin kundërshtar për ta konfirmuar fitoren e madhe të Bashkimit.
Këto ishin pikët e vetme të Baileyt, i cili në sekondin e fundit dështoi nga gjuajtja e lirë, por ishin më vendimtaret për ekipin kosovar.
Tomas Woldetenase me 21 pikë dhe Jaylen Barford me 16 pikë, u dalluan te Reggiana por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen.
Bashkimi e nisi mirë ndeshjen dhe e fitoi çerekun e parë (24:17), përpara se ta humb të dytin (22:21) dhe t’I fitojë dy periudhat e fundit – 22:21, 14:12.
TJ Bickerstaff me 18 pikë e 11 kërcime ishte i pandalshëm te Bashkimi, ekip ku lojë të mirë tregoi edhe Kyan Anderson me 17 pikë, 4 kërcime e 6 asistime.
Për Bashkimin, kjo është fitorja e dytë në pestë ndeshje të luajtura në grup, e cila e ngrit në pozitën e tretë në tabelë me 7 pikë, një më pak se Dijoni e Cibona që janë në vendin e parë dhe të dytë.
Me këtë triumf, Bashkimi është në garë për të avancuar tutje dhe gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit, që luhet më datën 18 nëntor.
Në këtë xhiro, Bashkimi luan në udhëtim te skuadra franceze, Dijon.


