Sunday, 15. March 2026
Sport

Bashkimi – Peja, supersfida e çerekfinaleve të Kupës

GS 08/01/2026 2 Min. Lesezeit

Viti 2026 në basketbollin e Kosovës ka filluar furishëm me ndeshjet çerekfinale të Kupës.
Përballjet e para po sjellin emocione të mëdha, me duele interesante.
Mbrëmë u zhvilluan dy ndeshjet e para të kësaj faze, ndërsa sonte na presin dy përballje të tjera plot ethe.

Në duelet e mbrëmshme, fitore arritën skuadrat Ylli dhe Bora, duke mposhtur Trepçën, përkatësisht Rahovecin.

Bashkimi – GO+ Peja është dueli kryesor i çerekfinaleve, mes dy skuadrave me traditë, të cilat e kanë nisur mjaft mirë edicionin, duke u gjendur në pjesën e epërme të renditjes.
Bashkimi, në përballjet direkte këtë sezon, ka qenë më i mirë se Peja, duke e mposhtur dy herë në po aq takime të luajtura.

Sa i përket rosterëve, verdhezinjtë e Pejës, të drejtuar nga amerikani Greg Gibson, janë të kompletuar, ndërsa Bashkimin e penalizon shumë lëndimi i amerikanit Kayn Anderson.
Të dyja skuadrat do të bëjnë çmos për fitore në ndeshjen e parë dhe më pas, sigurisht, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Edhe dueli mes Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës është një takim i barabartë, me emocione të mëdha.
Prishtina në Superligë renditet në vendin e katërt, ndërsa Vëllaznimi nuk e ka nisur mirë sezonin dhe zë vendin e fundit në tabelë.

Ndeshjet kthyese çerekfinale do të zhvillohen më 21 dhe 22 janar.
Në çerekfinale do të zhvillohen ndeshje me sistem vajtje-ardhje dhe skuadra më e mirë nga të dy përballjet kualifikohet në gjysmëfinale.

Të dy takimet fillojnë nga ora 18:45 dhe mund t’i ndiqni drejtpërdrejt në platformën “Telkos”.

Teilen: