Kombëtarja U20 e Kosovës në basketboll ka përfunduar e teta në Kampionatin Evropian të Divizionit B që të dielën përfundoi në Jerevan të Armenisë.
Në ndeshjen e fundit, atë për vendin e shtatë, Kosova U20 pësoi humbje të thellë nga Irlanda, 74:47.
Në çerekun e parë basketbollistët e Kosovës i shënuan vetëm pesë pikë, ndërsa i pranuan plot 24. Edhe në çerekun e dytë irlandezët ishin bindshëm më të mirë duke e fituar këtë periudhë me 25:14.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 49:19 për Irlandën. Kështu që, ndeshja thuajse përfundoi në pjesën e parë.
Në fund të çerekut të tretë rezultat ishte 66:31 për Irlandën, ndërsa dallimi në pikë u zvogëlua në çerekun e katërt, kur çështja e fituesit tashmë dihej.
Rron Dahsyla dhe Mal Syla kishin statistikat më të mira te Kosova.
Dahsyla i shënoi 11 pikë për 26 minuta lojë kurse Syla luajti 12 minuta dhe realizoi gjashtë pikë e tri kërcime.
Kosova U20 nisi Evropianin e Divizionit B me tri fitore rresht. Fitoi ndaj Suedisë, Shqipërisë dhe Hungarisë për të arritur kualifikimin në çerekfinale, që sipas FBK-së është suksesi më i madh i deritashëm i Kosovës me grupmosha të reja në basketboll.
Por më pas Kosova rreshtoi katër humbje, nga Turqia në fazën grupore, në çerekfinale humbi nga Zvicra me rezultat 72:61.
Për plasman, basketbollistët e rinj të Kosovës fillimisht humbën 71:61 nga Britania e Madhe, ndërsa Evropianin e mbyllën me disfatën e thellë nga Irlanda.
Në Evropianin e Divizionit B u paraqitën 21 ekipe kombëtare.