Alesandro Bastoni ishte një nga protagonistët e mbrëmjes në ndeshjen mes Interit dhe Empolit duke dhënë asistin për golin e parë të Dimarkos dhe duke goditur shtyllën.
Mbrojtësi tregon sekretin e kësaj skuadre dhe mbi të gjitha arsyen pse trajneri e zëvendësoi. Ai gjithashtu flet për mundësinë që ka Interi për të fituar titullin kampion në derbi, që sipas Bastonit është diçka që nuk intereson.
STARTI – “E nisëm ndeshjen me shumë vrull dhe donim t’i tregonim Empolit që nuk do të merrte pikë në këtë ndeshje. Empoli është një skuadër me kualitet dhe trajneri Nikola ka sjellë qetësi.”.
ASISTI- “Ky ishte asisti im i tretë radhazi, por ndoshta më i shëmtuari nga ata të fundit. Më i bukur ishte goli i Dimarkos sesa asisti im. Jemi të lumtur për fitoren. Pas pushimit të kombëtareve nuk është kurrë e lehtë”.
RIFILLIM- “Sigurisht që donim të harronim edhe atë moment jo të mirë përpara pushimit. Kishim shumë ndeshje dhe ishim disi të lodhur. Donim të harronim patjetër edhe eliminimin nga Champions-i dhe qëllimi është që të fitojmë gjithmonë. E rëndësishme është që jemi bashkë”.
ZËVENDËSIMI- “Trajneri më përqafoi te zëvendësimi, por më tha se nuk po bëja më aksionet me shpejtësi dhe do të më jepte pak pushim. Kjo tregon sa i drejtë është me ne dhe çfarë ambienti kemi në skuadër”.
TITULLI NË DERBI- “As nuk e mendojmë fare. Duam vetëm të fitojmë dhe kjo është më e rëndësishme. Duhet që ta arrijmë këtë objektiv për tifozët tanë që në çdo ndeshje janë më shumë se 70 mijë për të na mbështetur dhe duartrokitur”.
KOMBËTARJA- “Janë trajnerë të ndryshëm, pavarësisht se në kombëtaren italiane ka disa lojtarë të Interit. Ka shumë harmoni në të dyja skuadrat. Duam të bëjmë mirë edhe në këtë verë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL