Këtë verë, Bayer Leverkuseni arriti ta mbante Xabi Alonson në stol, pavarësisht ofertave të marra nga klubet kryesore, përfshirë Liverpoolin.
Vetë trajneri bask në një moment foli për të mbyllur çdo mundësi për t’u larguar, duke mbetur kështu në stolin e “Aspirinave” këtë sezon, por tashmë ka shenja që tregojnë një ndryshim kursi.
Kontrata e Alonsos është e vlefshme deri në vitin 2026, por drejtuesit e Leverkusenit – raporton Sky Sports DE – tashmë janë në kërkim të trashëgimtarit të ish-mesfushorit të Realit të Madridit dhe Liverpoolit.
Shumë spekulojnë se trajneri 42-vjeçar do të largohet pas tre vjetësh në Leverkusen, por klubi nuk dëshiron që papritmas ta gjejë veten pa një alternativë të besueshme.
Kjo është arsyeja pse drejtuesit e Levekusenit po testojnë merkaton. Për momentin, trajneri i Shtutgartit, Sebastian Hoeness (kontratë deri në 2027) dhe bashkëtrajneri i Gjermanisë, Sandro Wagner (kontratë deri në fund të Kupës së Botës 2026) janë ndër kandidatët kryesorë për ta pasuar spanjollin.
Hoeness, raporton transmetuesi satelitor gjerman, vlerësohet shumë nga Bayer Leverkuseni për shkak të filozofisë së tij të lojës.
Por profili i Wagner është gjithashtu shumë intrigues dhe madje disa klube të Premier League-s dhe rivalë në Bundesligë kanë pyetur për të.