Real Madridi e di mirë se, pasi eliminoi Manchester City në Champions, do t’i duhet të rrisë nivelin përballë një Bayern Munich gjithnjë e më të frikshëm, tashmë ndër favoritët për trofeun. Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany po shfaqet si një “makinë” që imponon respekt.
Para sfidës në “Santiago Bernabéu”, Bayerni është pranë një rekordi historik në Bundesliga; të bëhet skuadra me më shumë gola në një sezon. Rekordi aktual prej 101 golash i përket vetë Bayernit në sezonin 1971-1972 dhe nuk është thyer prej mbi 50 vitesh.
Pas fitores 4-0 ndaj Union Berlin, bavarezët kanë 97 gola në 27 ndeshje, vetëm 4 larg rekordit. Edhe pa Harry Kane ndaj Freiburgut, skuadra ka mjaft “armë” për ta arritur, siç tregoi edhe ndaj Atalantës. Bayerni vjen me besim të lartë dhe synon të trembë Realin para përplasjes direkte.