Përveç fokusit për të mbyllur sezonin në mënyrën më të suksesshme të mundshme, ku titulli në Bundesligë mund të quhet i sigurt, por synimi madhor është padyshim suksesi në Champions League, Bayern Munich po mendon që tani për ekipin e sezonit të ardhshëm.
Duke qenë se Leon Goretzka do të largohet në fund të këtij sezoni si lojtar i lirë, pasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës, lind nevoja për një zëvendësues ideal të mesfushorit 30-vjeçar.
Edhe pse bavarezët kanë në gjirin e tyre emra si Aleksandr Pavlovic 21 vjeç, Tom Bischof 20 vjeç apo edhe i huazuari te Hannover 96, Noel Aseko 20 vjeç, të cilët mund të plotësojnë fare mirë boshllëkun që do të lërë largimi i Goretzka, drejtuesit e Bayern janë gati të ndërhyjnë në merkato dhe të afrojnë një mesfushor difensiv të mirëfilltë.
“Daily Mail” zbulon se Bayern është një nga klubet që do të provojë në verë transferimin e Elliot Anderson, mesfushorit difensiv të Nottingham Forest, i cili konsiderohet si një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Duke qenë nën kontratë deri në vitin 2029, largimi i 23-vjeçarit nga Nottingham Forest nuk do të jetë aspak i lehtë. Shifra minimale për të lënë të lirë Elliot Anderson përlfitet te 80 milionë euro.
Përveç Bayernit, për anglezin po ashtu ka një interesim të madh edhe brenda Premier League, ku ai është objektiv madhor për dy klubet e Manchesterit.