Behar Neziri do të vazhdojë të jetë pjesë e FC St. Gallen. Klubi zviceran ka konfirmuar vazhdimin e kontratës me mesfushorin 23-vjeçar deri në vitin 2030, duke i dhënë besim afatgjatë futbollistit pas rikthimit të tij nga një dëmtim i rëndë.
Kontrata e mëparshme e futbollistit të Kosovës, ishte e vlefshme deri në vitin 2028, por palët kanë vendosur ta zgjasin atë edhe për dy sezone të tjera.
Neziri ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës nga St. Galleni deri në dhjetor të vitit 2025, kur pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar, dëmtim që e mbajti jashtë fushave për një periudhë të gjatë.
Megjithatë, pas përfundimit të rehabilitimit, Neziri është rikthyer në dispozicion të ekipit dhe tashmë ka regjistruar edhe minutat e para pas rikuperimit.
Neziri iu bashkua FC St. Gallenit në vitin 2023, pasi ishte pjesë e akademisë së Bayern Munichut. Pas një huazimi njëvjeçar te FC Wil, mesfushori arriti të sigurojë vendin e tij në ekipin e parë të skuadrës nga Zvicra lindore.
Tashmë, me kontratën e re deri në vitin 2030, FC St. Gallen ka dëshmuar se vazhdon të besojë te potenciali i Behar Nezirit, i cili synon të lërë pas dëmtimin dhe të rikthehet në formën që e kishte bërë një lojtar të rëndësishëm për ekipin.