Alarm në Gjerman për gjendjen shëndetësore të një prej legjendave të futbollit botëror. Franc Bekenbauer, një nga ish-futbollistët e trajnerët më të njohur në botë, është “zhdukur” nga sytë e publikut prej disa muajsh si pasojë e problemeve shëndetësore që ka kaluar. Dhe tashmë një nga “nxënësit” e tij te Bajern Mynih dhe Gjermania, Lotar Mateus, ka konfirmuar se situata shëndetësore e “Kaizerit” nuk është e mirë.

“Ne i urojmë atij më të mirën sa i përket shëndetit, që të jetë përsëri vetvetja, plot me energji. Padyshim që ne urojmë që ai të bëhet përsëri mirë. Franc gjithmonë ka thënë se shëndeti është gjëja më e rëndësishme në jetë. Për momentin nuk e ka një gjë të tillë”, tregoi Mateus gjatë një evenimenti.
“Ai nuk është mirë sa i përket situatës shëndetësore. Kjo është arsyeja pse nuk ishte me ne 4-5 javë më parë në takimin që bëmë për të kujtuar Kupën e Botës. Sigurisht, ne shpresojmë që gjërat të shkojnë në një tjetër drejtim”, theksoi Mateus.
Në takimin e korrikut të pjesëtarëve të triumfit në Kupën e Botës 1990, ishin të gjithë përveç strategut të atij suksesi, Bekenbauerit. “Për fat të keq Franc nuk mund të shkonte për çështje shëndetësore. Do të ishte e tepërt për të”, tha asokohe bashkëshortja e ti, Haidi. Vetë legjenda e futbollit gjerman deklaroi një vit më parë se kishte humbur shikimin në syrin e djathtë dhe se kishte probleme me zemrën.
PANORAMASPORT.AL