Shokë në të mirë” në Madrid te Reali (116 gola dhe asiste në një sezon e gjysmë), por dhe “shokë në të keq” (38 kartonë të verdhë dhe tre të kuq në të njëjtën periudhë kohore). Po flasim për dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Realit, Vinicius dhe Bellingam, të cilët po kthehen në një problem për ekipin.
Sepse të dy vuajnë nga e njëjta sindromë: numri i tepruar i ndëshkimeve me kartonë, për vetë rolin e tyre si lojtarë sulmues. E, për më shumë që një pjesë e madhe e kartonëve janë thjesht për arsye disiplinore. Pas katër ndeshjeve jashtë për brazilianin në këtë sezon, tani është radha e mesfushorit anglez, Xhud Bellingham, i cili përballet me një pezullim të mundshëm me dy ndeshje pas kartonit të kuq ndaj Osasunës të shtunën e kaluar.
Nëse dënimi konfirmohet, do të thotë se në një sezon e gjysmë, që ata janë së bashku në Madrid, Vinicius dhe Bellingam do të kishin humbur 10 ndeshje për shkak të pezullimeve të ndryshme, nga pesë secili. Një shifër që përtej polemikave nëse është e drejtë apo jo, shqetëson Ançelotin, i cili beson se dy lojtarë si ata nuk mund të jenë të padisponueshëm për kaq shumë ndeshje. Në rastin e Bellingamit, si në rastin e brazilianit, situata është e ngjashme.
Në sezonin e kaluar ai mungoi në tri ndeshje për këtë arsye (pezullimi). Në janar të vitit të kaluar ai kishte kryer një cikël kartonësh të verdhë dhe nuk ishte në gjendje të luante në ndeshjen kundër Las Palmas për shkak të një grumbullimi të kartonëve. Menjëherë pas kësaj, ai mori një karton të kuq direkt në “Mestalla”, si në rastin e fundit për protestë. “Në minutën e 99-të, Bellingam u përjashtua me karton të kuq për këtë arsye: pasi mbaroi ndeshja dhe ndërsa ishte ende në fushë, ai vrapoi drejt meje në mënyrë agresive dhe bërtiti, duke përsëritur në disa raste:
‘Është një fucking goal”. Ishte ky raporti i gjyqtarit Gil Manzano, pas ndeshjesh mes Valencias dhe Realit të Madridit. Anglezi u pezullua me dy ndeshje në këtë rast, duke mos luajtur kundër Osasunës dhe Selta Vigos. Një bilanc aspak i denjë erdhi në fund të sezonit të kaluar: 9 kartonë të verdhë, një i kuq dhe tri ndeshje pezullim! Aktualisht, në pritje të pezullimit për shkak të kartonit të kuq kundër Osasunës, ai tashmë numëron shtatë kartonë të verdhë, është në prag të një pezullimi në Champions dhe ka hapur listën e kartonëve të kuq me përjashtimin e ri në Pamplona, që mund ta lërë jashtë loje për dy ndeshje.
Madridi e ka bërë të qartë se do të apelojë, duke pretenduar një gabim të gjyqtarit Munuera Montero në interpretimin e fjalëve të anglezit (“fuck off” apo “fuck you”), por një dënim i ri po kërcënon sërish Bellingamin, i cili po vetë ndëshkohet nga protestat e tij.
VINICIUS – Situata është e ngjashme me sulmuesin Vinicius. Braziliani po koleksionon ndëshkim pas ndëshkimi me një ritëm të furishëm, duke zhgënjyer trajnerin Ançeloti, i cili nuk po e gjen formulën për ta trajtuar këtë situatë që prek dy yjet e tij.
Vinicius ka humbur pesë ndeshje për shkak të pezullimit që nga sezoni i kaluar. Në sezonin 2023-24 ai mori 11 kartonë të verdhë, shtatë në Ligë, që i kushtoi një ndeshje pa luajtur për shkak të akumulimit të paralajmërimeve, tre në “Copa del Rey” dhe një në Superkupën e Spanjës. Këtë sezon problemi është përkeqësuar: ai ka tashmë 11 kartonë të verdhë, një të kuq dhe ka humbur tashmë katër ndeshje për shkak të ndëshkimeve, pasi ka përfunduar një cikël në Ligë, në Champions League dhe është sanksionuar me dy të tjerë për kartonin e kuq direkt në “Mestalla” (Valencia).
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL